Allahu i Madhëruar thotë: “Zoti yt e frymëzoi bletën, (duke thënë): “Ndërto shtëpi në male dhe në drurë dhe në atë (kosheret) që kanë ngritur njerëzit! Ushqehu me gjithfarë lloje frutash dhe ec rrugës së Zotit tënd përulshëm!” Nga barku i tyre del lëng ngjyrash të ndryshme, në të cilin ka ilaç e shërim për njerëzit. Vërtet që kjo është shenjë për ata që përsiatin.” [Kurani: En Nahl, 68-69].
Mjalti është një lëng i ëmbël dhe i trashë që e prodhon bleta nga nektari i luleve dhe nga disa lëndë të ndryshme që i merr nga pjesë të ndryshme të bimës, të cilave u shton edhe një lëndë të posaçme nga vetë bleta (enzimat), e kjo i jep mjaltit vetinë ushqyese dhe kuruese. Bleta e ruan mjaltin brenda hualleve të dyllit në zgjua.
Vetitë kuruese dhe shkaqet e përdorimit:
1. Fuqizues i përgjithshëm dhe aktivizues, pasi që konsiderohet si një nga burimet më të mira të energjisë. Mjalti fuqizon muskujt dhe nervat.
2. Përmirëson funksionimin e sistemit të tretjes në mënyrë të përgjithshme. Mjalti përmirëson funksionin e zorrëve nëpërmjet nxitjes dhe aktivizimit të florës në zorrë (bakteries së dobishme të zorrëve), gjë e cila ndihmon në rastet e kapsllëkut, diarresë, ulcerave dhe infeksioneve. Mjalti vepron gjithashtu në lehtësimin e alergjisë së fytit, për shkakun se ai është anti infeksion.
3. Aktivizues dhe ushqyes i mëlçisë.
4. Përmirëson funksionin e sistemit të frymëmarrjes. Mjalti është ilaç efektiv për kollën dhe gëlbazën.
5. Rregullon funksionin e sistemit imun.
6. Mjalti është anti infeksion si rezultat i përmbajtjes së tij grupin e flavonoideve (një numër i të cilave i ngjan për nga përbërja lëndës Gromoglycate, e cila jepet zakonisht për parandalimin e krizave të astmës dhe jo si ilaç për të).
7. Sëmundjet infeksionale të syve (infeksionet e cornesë (bebes) së syrit, të bardhës së syrit dhe të qepallave të syve).
8. Antibiotik natyral (ka efekt kundër viruseve, baktereve dhe mukozave).
9. Ndihmon në mbylljen e plagëve, në shërimin e ulcerave dhe djegieve, si rezultat i përmbajtjes së tij të enzimave që ndihmojnë në këtë gjë.
10. Përdoret si maskë për zbukurim, pasi që mjalti mbron lëkurën nga rrudhosja dhe ruan freskinë e saj.
Përbërësit e mjaltit:
Ekzistojnë më shumë se 3000 lloj bimësh që janë lëndë e parë e mjaltit të bletës, kështu që mundet që i njëjti numër veçorish dhe vetish të ndryshme të jetë edhe te mjalti. Këtu po përmendim lëndët përbërëse të mjaltit në mënyrë të përgjithshme:
1. Ujë: 17-20%
2. Karbohidrate (sheqerna): fruktoz, glukoz, sukroz, maltoz. Këto përbëjnë 75% të mjaltit dhe janë pjesa kryesore e tij.
3. Poleni: përbën 5% të mjaltit me përafërsi, dhe kjo sqaron përse mjalti përmban: një sasi të konsiderueshme vitaminash, aminoacidesh dhe 0.05% proteina.
4. Minerale: 0.17% (botasium, sodium, kalcium, magnezium).
5. Ngjyra: si karotina, zanthina dhe flavonoidet.
6. Enzimat. Mjalti përmban një numër enzimash që kanë funksione të ndryshme, prej të cilave përmendim: Enzima Invertase: Lloji më i madh i enzimave që gjenden te mjalti. Roli kryesor i kësaj enzime është thyerja e sheqerit të dyfishtë në sheqerna të thjeshta: në sheqer rrushi (glukozë) dhe sheqer frutash (fruktozë). Enzima Glucouse Oxidase: Funksioni i kësaj enzime është shndërrimi i glukozës në Acid Glukonik, i cili prodhon lëndën Hydrogen Peroxide (ujin e oksigjenuar), që ka veti antibakteriale. Enzima Diastase: Burimi i kësaj lënde është nektari i luleve dhe funksioni i saj është thyerja e amiloideve në sheqerna më të vogla dhe më të lehta për t’u tretur. Enzima Catalase: Burimi i kësaj lënde është gjithashtu nektari i luleve kurse funksioni i saj është plotësimi i asaj që fillon enzima e Glucouse Oxidase, për të shndërruar këtë lëndë në ujë dhe oksigjen. Zbulimi i mashtrimit në mjalt mund të njihet pikërisht nga përqindja e këtyre enzimave në mjalt. Mjalti me hile apo mjalti i nxehur në temperaturë të lartë përmban sasi shumë të vogël enzimash.
7. Acide: 0.57%. Mjalti përmban një numër acidesh të ndryshme që ndryshojnë në varësi të burimit të tij. Prej këtyre acideve është acidi formik, sitrik, glukonik, laktik, oksalik, tanik, tartarik, etj. Megjithëse mjalti ka veti acide, por ai në origjinë konsiderohet si ushqim alkalin (bazik), sepse të qenët e ushqimit acid apo alkalin, qëndron në llojin dominues të lëndëve minerale që gjenden në të.
Këshilla që duhen pasur parasysh para përdorimit të mjaltit:
Mjalti konsiderohet prej ushqimeve të dobishme për shumicën e njerëzve, por ata që vuajnë nga sëmundja e sheqerit (diabeti) duhet të kenë parasysh që të mos marrin aq sasi mjalti sa të ngrenë përqindjen e sheqerit tek ata.
99.99% e atyre që e konsumojnë mjaltin nuk ndeshin asnjë lloj problemi, por ekzistojnë disa ndalesa të pakëta që duhet të kihen parasysh në përdorimin e mjaltit:
1. Të sëmurëve me urinë diabetike nuk mund t’u jepet mjalt në sasi të madhe, sepse ai përmban më shumë se 70% lëndë karbohidrate, dhe për të qenë brenda sigurisë, këtyre të sëmurëve mund t’u jepet vetëm 8-9 gram mjalt në ditë, d.m.th. një lugë e mesme, ose dy lugë, ose mundet edhe dy lugë, duke i marrë sipas mënyrës së njohur.
2. Alergjia, sidomos ajo e sistemit të tretjes, dhe kjo për shkak se mjalti përmban një sasi të vogël poleni. Zgjidhja në këtë rast është që përdorimi i mjaltit të fillohet me sasi shumë të vogla duke e holluar me sasi të mëdha lëngjesh.
3. Foshnjat nën një vjeç: dhe kjo është më e rëndësishme se rastet e mësipërme, pasi që zorrët e foshnjës nën një vjeç janë një ambient i përshtatshëm për zhvillimin e baktereve të dëmshme, sidomos bakteria e quajtur “closterdem botelenm”. Vetëm për këtë moshë duhet siguruar se mjalti që i jepet nuk e përmban këtë lloj bakterie.
Mënyra e përdorimit të mjaltit:
Preferohet që mjalti të përdoret i holluar me ujë, në mënyrë që të bëhet përvetësimi i lëndëve te tij sa më mirë. Po kështu preferohet që të merret një orë para ngrënies ose tre orë pas ngrënies. Doza e lejuar e mjaltit është 60-100 gram në ditë dhe jo më shumë. Preferohet që mjalti të përdoret në sasi të vogla dhe në periudha të ndara kohore.
Ruajtja e mjaltit dhe rezervimi i tij:
1. Nuk duhet lënë në dritën e diellit sepse ai i thyen shumë prej enzimave, dhe po kështu as në dritë të drejtpërdrejtë për një kohë të gjatë.
2. Duhet të ruhet në enë të posaçme për ruajtjen e ushqimeve, qofshin prej qelqi apo prej plastike që janë të posaçme për ruajtjen e ushqimeve (PET).
3. Ena ku ruhet mjalti të mbyllet mirë, sepse ai i thith me lehtësi aromat e jashtme të cilat ndikojnë në aromën e tij, dhe sepse mjalti thith ujin që gjendet në ajrin e jashtëm, e nëse përqindja e lagësgtirës në mjalt e kalon atë normalen, ai thartohet dhe prishet.
4. Mjalti duhet të ruhet në vend të ftohtë e të freskët dhe të mos ekspozohet nxehtësisë. Temperatura e dhomës ku ruhet mjalti nuk duhet t’i kalojë 25 °C.
XHELATINA MBRETERORE - QUMESHTI I BLETES
Ç’është xhelatina mbretërore?
Ai është një lëng i bardhë me vlera të larta ushqyese, që del nga gjendrat e faringut, nga koka e bletave të vogla punëtore për ushqyerjen e larvave punëtore, meshkujve në fazën e parë dhe larvave të mbretëreshës. Ky është ushqimi i vetëm i mbretëreshës dhe njihet gjithashtu me emrin “qumështi i bletës”.
Vetitë kuruese dhe shkaqet e përdorimit:
1. Aktivizon gjëndrat seksuale, shton nivelin e hormonit të shtatzanisë “Progesterone” dhe të hormonit mashkullor “Testosterone”, dhe aktivizon gjendrën suprarenale.
2. Forcon sistemin riproduktiv duke shtuar pjellshmërinë (mundësinë për të lindur fëmijë).
3. Është i dobishëm për kurimin e zmadhimit dhe infeksionit të prostatit.
4. Përmirëson funksionet e mëlçisë dhe veshkave dhe shton përqindjen e albuminës dhe glukogjenit në mëlçi. Ka rëndësi të veçantë në kurimin e infeksionit viral të mëlçisë.
5. Pakëson mundësinë e arteriosklerozës, normalizon nivelin e kolesterolit dhe yndyrave të trefishta në gjak.
6. Kuron varfërimin e gjakut “Aneminë”, sepse rrit prodhimin e rruazave të kuqe dhe të bardha të gjakut dhe rrit numrin e pllakave të gjakut, të cilat luajnë rol të rëndësishëm në mpiksjen e gjakut kur pritesh apo plagosesh.
7. Korrigjon sekrecionet e yndyrave të lëkurës për t’i normalizuar ato dhe nxit asimilimin e ushqimit brenda qelizave të lëkurës.
8. Luan rol antibiotik dhe antimukozë. Përdoret për parandalimin e sëmundjeve infektuese (ngjitëse).
9. Hap oreksin dhe vepron në ngritjen e peshës së trupit, duke u konsideruar si: “Ushqimi gjigand”.
10. Rifreskon memorien dhe fuqizon organizmin në përgjithësi.
11. Në lidhje me të sëmurët nga urina diabetike, ushqimi i bletës mbretëreshë përmirëson përfitimin nga glukoza, prodhon fuqi dhe shton nxjerrjen e hormonit insulinë në qelizat beta të pankreasit.
12. Vonon shenjat e mplakjes që shfaqen në organet e trupit dhe në lëkurë, si rezultat i përmbajetjes së lartë të Vitaminës B, dhe veçanërisht të Vitaminës B5, që ndryshe quhet Pantothenic Acid.
13. Qumështi i bletës ka ndikim rrënjësor në stabilitetin nervor dhe shpirtëror, sepse rrit konsumimin e oksigjenit nga truri dhe kjo bën që të pakësohet pikëllimi dhe të shtohet përqendrimi, gatishmëria dhe rezistenca.
Përbërësit e xhelatinës mbretërore apo qumështit të bletës:
1. Proteina: 13-18%
2. Sheqerna të transferura: Fructose dhe Glukose: 7.5-12.5%
3. Ujë: 58-68%
4. Yndyra: 3-6%
5. Pluhur: 0.8-1.5%
6. Lëndë të papërcaktuara: 4-8.7%
7. Vitamina të ndryshme në sasi të lartë, veçanërisht vitaminë B të përbërë.
8. Minerale: përmban përqindje të lartë kalciumi, bakri, hekuri, pottassiumi, fosfori dhe squfuri.
9. I pasur me Acetyle Cholin, i cili është i domosdoshëm për përcjelljen e ngacmimeve nervore.
10. Përmban lëndë Inositol, e cila vepron në heqjen e yndyrës nga mëlçia, në pakësimin e kolesterolit në gjak, si dhe është i domosdoshëm në ruajtjen e shëndetit të flokut.
Këshilla që duhen pasur parasysh para përdorimit të qumështit të bletës:
Ekzistojnë disa sëmundje, mbartësit e të cilave duhet të konsultohen me mjekun e tyre para përdorimit të qumështit të bletës. Këto raste janë:
1. Të sëmurët me astmë.
2. Ata të sëmurë që mund t’ju shkaktohet alergji nga disa përbërës të qumështit të bletës.
3. Gjendjet e rënda kancerore.
4. Të sëmurët me tension të ngritur të gjakut.
5. Të sëmurët që vuajnë nga ulcerat dhe infeksionet e gypit tretës dhe nga aktiviteti i lartë i gjëndrave.
6. Foshnjat që pinë gji (nën dy vjeç).
Doza dhe mënyra e përdorimit:
1. Qumështi i bletës i freskët:
a) Për të rriturit: 500-1000 mg në ditë
b) Për fëmijët: 30-50% e dozës së të rriturve
2. Qumështi i bletës i tharë:
a) Përdoret me doza më të vogla se ai i freskëti, sepse ky humb 2/3 e peshës (nga uji) dhe nuk mbet prej tij veçse 1/3 dhe ajo është më e përqendruar. Pra, nga 300 mg qumësht blete të freskët përfitohen 100 mg qumësht blete të tharë.
b) Mënyra më e mirë për përdorimin e këtij qumështi të tharë është që të vendosësh sasinë e duhur nën gjuhë deri sa të tretet plotësisht, për rreth 2-5 minuta.
- Këshillohet që pas shërimit nga sëmundja, të mos përdoret për një apo dy muaj.
- Doza e përshtatshme për përdorim të përgjithshëm është 1-2 gram nga qumështi i bletës i freskët i përzierë me 100 gram mjalt blete, dhe të hash nga një lugë dy herë në ditë, një orë para buke.
Ruajtja dhe rezervimi:
1. Qumështi i freskët i bletës ruhet në frigorifer, në temperaturë -20°C.
2. Kapsullat dhe qumështi i tharë i bletës ruhet në temperaturën normale të dhomës.
PROPOLIS - NGJITESI I BLETES
Propolis (ngjitësi i bletës) është një masë rrëshire, zakonisht, ngjyrë e verdhë në të gjelbër ose kafe dhe e tretshme, të cilin bletët punëtore e mbledhin nga sythët dhe lëkurët e pemëve dhe e përdorin për fiksimin e huallëve të dyllit dhe ngushtimin e hyrjes së kosheres sipas nevojës së bletëve. Nëse një mi apo bretkosë është aq i pafat sa të vritet brenda një zgjoi, bletët do ta veshin kafshën e ngordhur me këtë lloj substance (propolis do të thotë “për mbrojtjen e individëve”) para se trupi të kalbet. Kjo shmang erën e pakëndshme dhe parandalon përhapjen e baktereve në popullatën e bletës.
Përbërësit e propolis:
1. Lëndë rrëshinore, balsam dhe lëndë ngjitëse: 55%
2. Disa lloj dyllesh: 7.5-35%
3. Vajra të avullueshëm: 5%
4. Polen: 5%
5. Lëndë të ndryshme organike dhe minerale: 5%
6. Vitamina dhe disa lëndë të panjohura: 4.4-19%
Vetitë kuruese dhe shkaqet e përdorimit:
1. Propolisi përmirëson punën e sistemit imun dhe konsiderohet si antibiotik natyror kundër viruseve dhe infeksioneve.
2. Antikanceror, për faktin se aktivizon qelizat ngrënëse dhe është vërtetuar se ai pengon zhvillimin e qelizave kancerore në zorrën e trashë dhe lufton kancerin e gjakut –Leukemin.
3. Antialergjik në përgjithësi, nëpërmjet shtimit të fuqisë së gjakut për pengimin e hestaminës si rezultat i “quercetin” që ai përmban.
4. Antibiotik natyral me përdorim të gjerë, d.m.th. që mbulon një varg të madh bakteriesh, siç janë hilikcobacter dhe bakteri i tuberkulozit.
5. Antimykoz. Propolisi konsiderohet si lënda më e fortë kundër mykut Candida, prandaj disa nëna e lyejnë gojën e mykur të foshnjeve me të.
6. Pastrues dhe sulmues i sëmundjeve ngjitëse, për shkak se përmban Benzoic Acid.
7. Antitumorial, sepse pakëson depërtimin nëpërmjet kapilarëve të gjakut duke i fuqizuar ato me anë të grupit të flavonoidëve që ai përmban.
8. Fuqizues dhe përtëritës i lëkurës dhe i membranave të brendshme mukoze.
9. Pakëson ngritjen e tensionit të gjakut.
10. Ndihmon në sekrecionin e vrerit, i cili tret yndyrat.
11. Rrit aktivitetin e qelizave limfatike për të ngrënë qelizat e huaja.
12. Parandalon dhe pakëson dështimin akut të frymëmarrjes – Eriadictyal.
13. Korrigjon prodhimin e collagenit dhe elastinit, të cilat marrin pjesë në ndërtimin e qelizave elastike të lëkurës dhe të kapilarëve të gjakut, si dhe në ndërtimin e qelizave të kërceve dhe ligamenteve.
14. Propolisi përdoret gjithashtu për lyerje sipërfaqësore: për puçërrat e rinisë, të thatët, lungën (xhungat e mbushura me qelb), sëmundjet mykoze të thella të lëkurës, ekzemën dhe Pyodermën.
15. Për kurimin e infeksionit të kyçeve dhe të sistemit muskular (me lyerje nga jashtë).
Këshilla që duhen pasur parasysh para përdorimit të propolis-it të bletës:
Ekzistojnë 1-2% e njerëzve që kanë alergji nga propolis apo nga disa lëndë që ai përmban. Alergjia e këtyre njerëzve shfaqet në këto simptoma:
1. Alergji në lëkurë kur e prek propolisin në formë kremi apo të freskët, me kruarje dhe skuqje të lëkurës.
2. Alergji në frymëmarrje kur e nuhat.
3. Alergji në gojë (kur e ha), duke shkaktuar ngacmim brenda gojës ose çrregullime në zorrë dhe diarre (bark).
4. Me ulje të tensionit të gjakut.
Për këtë arsye, së pari duhet provuar nëse shkaktohet apo jo alergji nga propolis (si dhe nga të gjitha produktet e bletës), duke përdorur në fillim një sasi shumë të vogël prej tij dhe më pas duke e shtuar gradualisht atë.
Doza dhe mënyra e përdorimit:
Propolis nuk përdoret për fëmijë nën një vjeç.
Doza dhe koha e saj përcaktohet nga mjeku kurues, në varësi të sëmundjes dhe të sëmurit, në këtë mënyrë:
1. Propolis i freskët (bruto): 1 gram (1-3 herë në ditë), duke e përtypur nëpër gojë për 5-20 minuta dhe më pas mund ta përcjellësh pa problem.
2. Esenca e propolis-it (5-50% përqendrim): 5-30 pika, tre herë në ditë, me mjalt të holluar me ujë ose me limonadë. Esenca e propolis mund të përdoret edhe nga jashtë në kozmetikë dhe për larje nga poshtë (për infeksionet e vaginës).
3. Organizmi i njeriut mund ta përballojë më së miri 1 gram propolis për çdo kg të peshës së trupit të tij.
4. Pluhuri i propolis mund të përdoret duke përzierë 3 gram propolis me 125 gram mjalt, dhe të merrret një apo dy lugë në ditë.
5. Në rastet e përdorimit të jashtëm të propolis, këshillohet që të merret edhe nga goja në të njëjtën kohë, sepse këto përdorime plotësojnë efektin e njëri-tjetrit. Përdorimi i jashtëm i propolis mund të bëhet një apo disa herë në ditë sipas nevojës.
6. Përdorimi i propolis për nuhatje jep rezultate të shkëlqyera në rastet me probleme në rrugët e frymëmarrjes dhe në mushkri.
Ruatja dhe magazinimi:
Nuk kërkohen veprime të veçanta për ruajtjen e propolisit, por preferohet që të ruhet në enë ku nuk depërton drita, të mbyllura mirë dhe larg nxehtësisë. Si gjithnjë në lidhje me përdorimet mjekësore,, preferohet që produkti të jetë i freskët.
POLENI I BLETES
Ç’është poleni?
Poleni është organi mashkullor i shumimit tek bimët, të cilin bleta e mbledh dhe lëshon mbi të lëndët e saj jargore, gjë e cila i jep atij vetitë kuruese. Bleta e mbledh polenin dhe e rezervon atë brenda hojeve për t’u ushqyer me të. Poleni është burimi kryesor i proteinës dhe vitaminave për bletët.
Përbërësit e polenit:
1. Proteina: 25-35% (Shumica e tyre janë aminoacide bazë që i nevojiten organizmit të njeriut dhe të cilat ai nuk mund t’i krijojë vet.
2. Yndyra: 5%
3. Sheqerna: 35%
4. Ujë: 8-12%
5. Vitamina: Grupin e vitaminave B, Vitaminë A, C dhe H.
6. Minerale: Poleni përmban një numër të madh mineralesh të domosdoshme për njeriun, si: kalcium, botacium, sodium, zink, magnezium, aluminium, bakër, plumb, etj.
7. Fermente dhe enzima: Poleni përmban një numër të madh prej tyre, si: invertase, phosphatase, amylase, catalase, sucrose, diastases, etj.
Vetitë kuruese dhe shkaqet e përdorimit:
1. Poleni është element i rëndësishëm në ndërtimin e trupit për shkak se përmban një numër vitaminash bashkë me një përqindje të madhe aminoacidesh, prandaj ai hap oreksin dhe shton peshën. Ai këshillohet për të sëmurët pas operacioneve që të rimarrin veten dhe të shërohen shpejt, ose pas shërimit nga një sëmundje e gjatë, me qëllim që t’i rikthejë trupit fuqinë dhe gjallërinë.
2. Aktivizues seksual dhe shtues i pjellshmërisë.
3. Pakëson shqetësimet nervore.
4. Ilaç efektiv për rastet e varfërimit të gjakut “anemisë”, sepse rrit përqindjen e hemoglobinës në gjak dhe në qelizat e kuqe të gjakut, si rezultat i përmbajtjes së hekurit që ka.
5. Rregullon funksionin e zorrëve duke aktivizuar bakterien e zorrëve për kryerjen e funksionit të saj. Prej këtu, poleni është i dobishëm për rastet e kapsllëkut kronik dhe diarresë kronike. Ai konsiderohet si ushqimi shembullor i zorrëve.
6. Përmirëson funksionin e prostatit dhe konsiderohet si ilaç i dobishëm për zmadhimin e prostatit tek të mëdhenjtë në moshë, duke vepruar në heqjen e kongjestionit.
7. Aktivizues i sistemit imun dhe anti infeksion.
8. Ilaçi më i mirë që i këshillohet të sëmurëve me mëlçi për përmirësimin e funksioneve të mëlçisë.
9. Ndihmon në uljen e përqindjes së kolesterolit në gjak dhe në uljen e përqindjes së yndyrave. Forcon muret e enëve të gjakut.
10. Ushqen lëkurën, përmirëson ndërtimin e saj dhe i jep asaj elasticitet dhe freski.
11. Shumë i dobishëm për të sëmurët me urinë diabetike, pasi që ndihmon pankreasin në përmirësimin e funksioneve të tij.
12. I këshillohet nënave gjatë kohës së shtatëzanisë dhe të gjidhënies.
13. Vepron në përmirësimin e aktivitetit të trurit dhe memories.
14. Vepron kundër rënies së flokut me shumë efikasitet si rezultat i Glosidit “Rutine” që përmban.
15. Forcon kapilarët e gjakut, sepse ndihmon në prodhimin e collagenit dhe elastinit (protean që futen në përbërjen e kapilarëve të gjakut, kërceve dhe ligamenteve), përkrah lëndës “Rutine” që ai përmban dhe që është një lloj sheqeri i cili luan rol në rezistencën e mureve të brendshme të kapilarëve të gjakut.
16. Korrigjon çrregullimet funksionale në organizëm me anë të rikthimit të stabilizimit të metabolizmit që vuan nga mangësia apo defekti.
17. Përmirëson depozitimin e vitaminës C.
Doza dhe mënyra e përdorimit:
Doza përcaktohet në varësi të moshës, peshës dhe dietës së pacientit.
1. Për të rriturit: 3-4 gram (një lugë gjelle), dy herë në ditë.
2. Për sportistët: 10 gram ne dite.
3. Për të vegjlit: Për foshnjat 6 muajsh: një lugë të vogël kafe, vetëm një herë në ditë. Për fëmijët 3-5 vjeç: 2 gram (një lugë të vogël), një deri dy herë në ditë. Për fëmijët 6-12 vjeç: 3 gram (një lugë e mesme), një deri dy herë në ditë.
Shpesh ndodh befasim tek ata që përdorin polen për herë të parë, për shkak të shijes së tij të veçantë, por shpejt ata mësohen me të, me kusht që të vazhdojnë ta marrin me rregull, duke zgjedhur një nga mënyrat e mëposhtme:
- Duke e përzierë sasinë e posaçme të polenit me një gotë qumësht apo limonadë, për ta pasur të lehtë mundjen e shijes së tij.
- Duhet ta përtypësh mirë me qëllim që të prodhohen sekrecionet e nevojshme, pastaj të pish një gotë ujë pas përcjelljes së tij.
- Preferohet që poleni të merret me ngrënien e mëngjesit, por mundet që të shpërndahet në vaktet e tjera të bukës gjatë ditës.
- Këshillohet që poleni të përdoret për një kohë jo më pak se tre javë rresht, sidomos në fillim të përdorimit të tij, me qëllim që të korrësh frytet e tij.
Këshilla që duhen pasur parasysh para përdorimit të polenit të bletës:
Ekzistojnë disa raste sëmundjes, mbartësit e të cilave duhet të konsultohen me mjekun para se të përdorin polenin:
1. Ata që kanë alergji në sistemin e frymëmarrjes (astmë, alergji në gjoks).
2. Ata që kanë alergji në sistemin tretës.
3. Infeksionet e stomakut dhe të duodenit, sidomos nëse merret me përmasa të mëdha para ngrënies.
4. Të sëmurët me urinë diabetike (të cilët kurohen me insulin), nuk këshillohen të marrin shumë polen, sepse ai përmban shumë karbohidrate.
Ruajtja dhe depozitimi:
1. Poleni duhet të ruhet larg dritës së diellit, sepse dielli i shkatërron grupet e flavonoideve, vitaminave dhe enzimave të tij.
2. Larg nxehtësisë, sepse ajo ia ul vlerat dhe vetitë kuruese dhe ushqyese polenit.
3. Poleni duhet të ruhet në vende të ftohta ose edhe i ngrirë, porn ë enë të vulosura mirë, sepse lagështira e prish atë dhe në të mund të formohen disa lloj insektesh.
4. Mund të ruhet edhe i përzierë me mjalt.
DYLLI I BLETES
Ç’është dylli i bletës?
Dylli i bletës është një lëndë me ngjyrë të verdhë dhe aromë të këndshme, të cilën e prodhojnë bletët punëtore nga gjëndrat e dyllit që gjenden në pjesën e poshtme të barkut të tyre dhe që e përdorin për ndërtimin e hojeve.
Përbërësit e dyllit të bletës:
Përzierje esterash, ceroline, hidrokarbonatesh dhe ngjyrash. Përmban gjithashtu rreth 5% polen dhe propolis, si dhe lëndë aromatike të cilat i japin dyllit ngjyrën e veçantë dhe aromën e këndshme.
Vetitë kuruese dhe shkaqet e përdorimit:
1. Anti infeksion (lufton infeksionin kronik të zgavrave të hundës –sinusitin, infeksionin e fytit, kraharorit, kordave të zërit –tejzave, nulleve -mishit të dhëmbëve dhe të sistemit tretës.
2. Zbutës dhe lehtësues, prandaj është i dobishëm për rastet e kapsllëkut dhe të çrregullimeve në sistemin tretës.
3. Në kozmetikë: përdoret për prodhimin e kremrave, buzëkuqëve, maskave, sapunëve dhe heqësve të qimeve.
Rëndësia e vërtetë e dyllit të bletës qëndron në faktin se ai përmban shumë lëndë të tjera.
Këshilla që duhen pasur parasysh para përdorimit të dyllit të bletës:
Dylli i bletës përmban një sasi propolis dhe poleni, prandaj ata njerëz që kanë alergji nga këto lëndë duhet të mos e përdorin atë në sasi që i dëmton.
Doza dhe mënyra e përdorimit:
Duke marrë një lugë dyll blete bashkë me mjalt dhe ta përtypësh nëpër gojë së paku për 10 minuta, dhe më e preferuar është që të përcillet pak nga pak.
Ruajtja dhe rezervimi:
Dylli i bletës ruhet në temperaturën e dhomës dhe larg dritës.