MJEKESIA PROFETIKE
MJEKESIA E TE GJITHA KOHERAVE
Falënderimi i takon vetëm Allahut. Vetëm Atë lavdërojmë, Atij i kërkojmë ndihmë dhe falje të gjynaheve tona. Allahut i mbështetemi të na ruajën nga e keqja e veteve tona dhe nga veprat tona të keqia! Atë të cilin e udhëzon Allahun, nuk ka kush e humb dhe atë të cilin e humb Allahu, nuk ka kush e udhëzon. Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër që meriton të adhurohet përveç Allahut dhe dëshmoj se Muhamedi është rob i Allahut dhe i Dërguari i Tij.
Natyra e njeriut, sipas së cilës e ka krijuar Allahu i Madhëruar, është që ai të sëmuret dhe të ketë shëndet, për urtësi dhe dobi të shumta e të panumëruara, të cilat njeriu i zbulon gjatë jetës së tij, merr mësim prej tyre dhe sheh se sëmundja është pjesë e jetës në këtë botë dhe ka domethënie në të.
Allahu nuk ka për qëllim me sëmundjen që të dëmtojë njeriun, krijesën e Tij, por që ta mëshirojë atë, dhe besimtarët e shohin qartë këtë gjë dhe e gjejnë atë në burimet e Islamit. Përderisa nuk është për qëllim dëmtimi i njeriut, atëherë pas sëmundjes fshihen qëllime të tjera, të cilat njeriu duhet t’i zbulojë sa herë që ai sëmuret apo sheh të tjerët të sëmuren.
Argument që sëmundja nuk është dëmtim por mëshirë për njeriun, është edhe fakti se Allahu nuk ka krijuar sëmundje, veçse ka krijuar edhe shërim për të, dhe i ka dhënë njeriut të gjitha mundësitë që ta zbulojë shërimin e sëmundjeve të ndryshme, gjë e cila i jep kuptim të madh jetës së njeriut në këtë botë kalimtare e aq të shkurtër sa do gjatë që të jetosh në të, në krahasim me jetën në botën tjetër, me lumturinë e përhershme.
Vetvetiu kuptohet se Pejgamberët e Allahut, të cilëve Allahu u ka zbritur shpalljet e Tij, kanë qenë njerëzit më të njohur me të vërtetën e sëmundjes dhe të shërimit (ilaçit), dhe ata e praktikonin këtë gjë (mjekimin), për të cilën njerëzit kishin nevojë në jetën e tyre, madje prej mrekullive të Isait (alejhi selam) ishte se ai shëronte “të verbrit e lindur dhe të lebrosurit” [Al Imran, 49].
Përderisa Pejgamberi ynë, Muhamedi (salallahu alejhi ue selem) është i fundit i pejgambereve dhe vula e tyre, patjetër që Allahu i ka shpallur atij gjithçka që i duhet njeriut në jetën e kësaj bote, në çdo kohë e vend, deri në ditën e Kiametit, dhe këtu përfshihen edhe ato që lidhen me shëndetin e njeriut, madje kjo është parësore dhe një nga domosdoshmëritë e jetës për ruajtjen e të cilave ka ardhur Islami.
Padyshim se mjekësia pejgamberike është gjithpërfshirëse, e plotë dhe efektive, sepse ajo buron nga Krijuesi i njeriut, nga shpallja e Tij.
Për mjekësinë pejgamberike, kanë folur dijetarët e Islamit që herët, dhe shumë prej tyre kanë shkruar libra të posaçëm për të me të njëjtin titull, siç janë për shembull Ibën Kajim el Xheuzije, Muhamed iben Ahmed edh Dhehebi, e te tjerë tek të cilët kthehen ata që merren me mjekësi prej muslimanëve e të tjerëve.
Sëmundja ndahet në dy lloje kryesore: sëmundje e zemrës (e shpirtit) dhe sëmundje e trupit (fizike). Është për qëllim me sëmundjen e zemrës: ajo shpirtërore, që lidhet me besimin apo dyshimin, dhe që lidhet me ndjekjen e dëshirave dhe kënaqësive në mënyrë të palejuar dhe të pamoralshme. Dhe nuk është për qëllim këtu sëmundja e organit të zemrës, sepse ajo futet në sëmundjet trupore.
Shërimi i këtij lloji të sëmundjes kthehet tek Pejgamberët dhe ajo që u është shpallur atyre nga Allahu. Zemra e shëndoshë është ajo zemër e cila e njeh Zotin e saj, emrat e Tij, atributet e Tij, veprat e Tij, ligjet e Tij; dhe i përgjigjet thirrjes së Tij me kryerjen e atyre që Ai do dhe pëlqen, dhe largimin nga ato që Ai ndalon dhe urren. Njeriu nuk ka kurrë shëndet pa këtë, edhe nëse fiziku i tij do t’i dukej i shëndetshëm, dhe çdo njeri e ndjen këtë gjë, sepse e ka në natyrën e tij njerëzore: që nuk mund të bëjë pa shërimin e shpirtit dhe se kur dëmtohet shëndeti i shpirtit, është dëmtuar i gjithë trupi, dhe se dhembja shpirtërore është më e rëndë se dhembja trupore fizike!
Ndërsa sëmundja e trupit është e shumëllojshme, sa që çdo organ i trupit ka sëmundjet e veta, dhe kurimi i çdo sëmundje ka veçoritë e veta.
Mjekësia Profetike është tre llojesh:
1. Me ilaçe natyrore.
2. Me ilaçe Hyjnore.
3. Me të dyja këto së bashku.
Dhe ky është kurimi më i plotë, më i efektshëm dhe më i dobishëm për njeriun.
Në këtë kënd, shpresojmë t’ju vijmë në ndihmë me gjithçka që lidhet me shëndetin e njeriut, shpirtëror dhe fizik, me sa të na mundësojë Allahu, me ndihmën dhe fuqinë e Tij, sepse ne nuk kemi fuqi dhe as gjë në dorë, përveçse me ndihmën e Allahut dhe suksesin nga Ai. Allahu është Zoti ynë, Ndihmuesi ynë, Ai i cili jep sukses.
Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dërguarin e fundit të Allahut, të dërguarin si mëshirë për mbarë njerëzimin, Muhamedin, familjen e tij, shokët e tij dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në ditën e Kiametit!
|