Allahu i Madhëruar thotë: “Zoti yt e frymëzoi bletën, (duke thënë): “Ndërto shtëpi në male dhe në drurë dhe në atë (kosheret) që kanë ngritur njerëzit! Ushqehu me gjithfarë lloje frutash dhe ec rrugës së Zotit tënd përulshëm!” Nga barku i tyre del lëng ngjyrash të ndryshme, në të cilin ka ilaç e shërim për njerëzit. Vërtet që kjo është shenjë për ata që përsiatin.” [Kurani: En Nahl, 68-69].
Mjalti është një lëng i ëmbël dhe i trashë që e prodhon bleta nga nektari i luleve dhe nga disa lëndë të ndryshme që i merr nga pjesë të ndryshme të bimës, të cilave u shton edhe një lëndë të posaçme nga vetë bleta (enzimat), e kjo i jep mjaltit vetinë ushqyese dhe kuruese. Bleta e ruan mjaltin brenda hualleve të dyllit në zgjua.
Përbërësit e mjaltit:
Ekzistojnë më shumë se 3000 lloj bimësh që janë lëndë e parë e mjaltit të bletës, kështu që mundet që i njëjti numër veçorish dhe vetish të ndryshme të jetë edhe te mjalti. Këtu po përmendim lëndët përbërëse të mjaltit në mënyrë të përgjithshme:
1. Ujë: 17-20%
2. Karbohidrate (sheqerna): fruktoz, glukoz, sukroz, maltoz. Këto përbëjnë 75% të mjaltit dhe janë pjesa kryesore e tij.
3. Poleni: përbën 5% të mjaltit me përafërsi, dhe kjo sqaron përse mjalti përmban: një sasi të konsiderueshme vitaminash, aminoacidesh dhe 0.05% proteina.
4. Minerale: 0.17% (botasium, sodium, kalcium, magnezium).
5. Ngjyra: si karotina, zanthina dhe flavonoidet.
6. Enzimat. Mjalti përmban një numër enzimash që kanë funksione të ndryshme, prej të cilave përmendim: Enzima Invertase: Lloji më i madh i enzimave që gjenden te mjalti. Roli kryesor i kësaj enzime është thyerja e sheqerit të dyfishtë në sheqerna të thjeshta: në sheqer rrushi (glukozë) dhe sheqer frutash (fruktozë). Enzima Glucouse Oxidase: Funksioni i kësaj enzime është shndërrimi i glukozës në Acid Glukonik, i cili prodhon lëndën Hydrogen Peroxide (ujin e oksigjenuar), që ka veti antibakteriale. Enzima Diastase: Burimi i kësaj lënde është nektari i luleve dhe funksioni i saj është thyerja e amiloideve në sheqerna më të vogla dhe më të lehta për t’u tretur. Enzima Catalase: Burimi i kësaj lënde është gjithashtu nektari i luleve kurse funksioni i saj është plotësimi i asaj që fillon enzima e Glucouse Oxidase, për të shndërruar këtë lëndë në ujë dhe oksigjen. Zbulimi i mashtrimit në mjalt mund të njihet pikërisht nga përqindja e këtyre enzimave në mjalt. Mjalti me hile apo mjalti i nxehur në temperaturë të lartë përmban sasi shumë të vogël enzimash.
7. Acide: 0.57%. Mjalti përmban një numër acidesh të ndryshme që ndryshojnë në varësi të burimit të tij. Prej këtyre acideve është acidi formik, sitrik, glukonik, laktik, oksalik, tanik, tartarik, etj. Megjithëse mjalti ka veti acide, por ai në origjinë konsiderohet si ushqim alkalin (bazik), sepse të qenët e ushqimit acid apo alkalin, qëndron në llojin dominues të lëndëve minerale që gjenden në të.
Ç’është xhelatina mbretërore?
Ai është një lëng i bardhë me vlera të larta ushqyese, që del nga gjendrat e faringut, nga koka e bletave të vogla punëtore për ushqyerjen e larvave punëtore, meshkujve në fazën e parë dhe larvave të mbretëreshës. Ky është ushqimi i vetëm i mbretëreshës dhe njihet gjithashtu me emrin “qumështi i bletës”.
Përbërësit e xhelatinës mbretërore apo qumështit të bletës:
1. Proteina: 13-18%
2. Sheqerna të transferura: Fructose dhe Glukose: 7.5-12.5%
3. Ujë: 58-68%
4. Yndyra: 3-6%
5. Pluhur: 0.8-1.5%
6. Lëndë të papërcaktuara: 4-8.7%
7. Vitamina të ndryshme në sasi të lartë, veçanërisht vitaminë B të përbërë.
8. Minerale: përmban përqindje të lartë kalciumi, bakri, hekuri, pottassiumi, fosfori dhe squfuri.
9. I pasur me Acetyle Cholin, i cili është i domosdoshëm për përcjelljen e ngacmimeve nervore.
10. Përmban lëndë Inositol, e cila vepron në heqjen e yndyrës nga mëlçia, në pakësimin e kolesterolit në gjak, si dhe është i domosdoshëm në ruajtjen e shëndetit të flokut.
Këshilla që duhen pasur parasysh para përdorimit të qumështit të bletës:
Ekzistojnë disa sëmundje, mbartësit e të cilave duhet të konsultohen me mjekun e tyre para përdorimit të qumështit të bletës. Këto raste janë:
1. Të sëmurët me astmë.
2. Ata të sëmurë që mund t’ju shkaktohet alergji nga disa përbërës të qumështit të bletës.
3. Gjendjet e rënda kancerore.
4. Të sëmurët me tension të ngritur të gjakut.
5. Të sëmurët që vuajnë nga ulcerat dhe infeksionet e gypit tretës dhe nga aktiviteti i lartë i gjëndrave.
6. Foshnjat që pinë gji (nën dy vjeç).
Propolis (ngjitësi i bletës) është një masë rrëshire, zakonisht, ngjyrë e verdhë në të gjelbër ose kafe dhe e tretshme, të cilin bletët punëtore e mbledhin nga sythët dhe lëkurët e pemëve dhe e përdorin për fiksimin e huallëve të dyllit dhe ngushtimin e hyrjes së kosheres sipas nevojës së bletëve. Nëse një mi apo bretkosë është aq i pafat sa të vritet brenda një zgjoi, bletët do ta veshin kafshën e ngordhur me këtë lloj substance (propolis do të thotë “për mbrojtjen e individëve”) para se trupi të kalbet. Kjo shmang erën e pakëndshme dhe parandalon përhapjen e baktereve në popullatën e bletës.
Përbërësit e propolis:
1. Lëndë rrëshinore, balsam dhe lëndë ngjitëse: 55%
2. Disa lloj dyllesh: 7.5-35%
3. Vajra të avullueshëm: 5%
4. Polen: 5%
5. Lëndë të ndryshme organike dhe minerale: 5%
6. Vitamina dhe disa lëndë të panjohura: 4.4-19%
Këshilla që duhen pasur parasysh para përdorimit të propolis-it të bletës:
Ekzistojnë 1-2% e njerëzve që kanë alergji nga propolis apo nga disa lëndë që ai përmban. Alergjia e këtyre njerëzve shfaqet në këto simptoma:
1. Alergji në lëkurë kur e prek propolisin në formë kremi apo të freskët, me kruarje dhe skuqje të lëkurës.
2. Alergji në frymëmarrje kur e nuhat.
3. Alergji në gojë (kur e ha), duke shkaktuar ngacmim brenda gojës ose çrregullime në zorrë dhe diarre (bark).
4. Me ulje të tensionit të gjakut.
Për këtë arsye, së pari duhet provuar nëse shkaktohet apo jo alergji nga propolis (si dhe nga të gjitha produktet e bletës), duke përdorur në fillim një sasi shumë të vogël prej tij dhe më pas duke e shtuar gradualisht atë.
Poleni është organi mashkullor i shumimit tek bimët, të cilin bleta e mbledh dhe lëshon mbi të lëndët e saj jargore, gjë e cila i jep atij vetitë kuruese. Bleta e mbledh polenin dhe e rezervon atë brenda hojeve për t’u ushqyer me të. Poleni është burimi kryesor i proteinës dhe vitaminave për bletët.
Përbërësit e polenit:
1. Proteina: 25-35% (Shumica e tyre janë aminoacide bazë që i nevojiten organizmit të njeriut dhe të cilat ai nuk mund t’i krijojë vet.
2. Yndyra: 5%
3. Sheqerna: 35%
4. Ujë: 8-12%
5. Vitamina: Grupin e vitaminave B, Vitaminë A, C dhe H.
6. Minerale: Poleni përmban një numër të madh mineralesh të domosdoshme për njeriun, si: kalcium, botacium, sodium, zink, magnezium, aluminium, bakër, plumb, etj.
7. Fermente dhe enzima: Poleni përmban një numër të madh prej tyre, si: invertase, phosphatase, amylase, catalase, sucrose, diastases, etj.
Këshilla që duhen pasur parasysh para përdorimit të polenit të bletës:
Ekzistojnë disa raste sëmundjes, mbartësit e të cilave duhet të konsultohen me mjekun para se të përdorin polenin:
1. Ata që kanë alergji në sistemin e frymëmarrjes (astmë, alergji në gjoks).
2. Ata që kanë alergji në sistemin tretës.
3. Infeksionet e stomakut dhe të duodenit, sidomos nëse merret me përmasa të mëdha para ngrënies.
4. Të sëmurët me urinë diabetike (të cilët kurohen me insulin), nuk këshillohen të marrin shumë polen, sepse ai përmban shumë karbohidrate.
Ruajtja dhe depozitimi:
1. Poleni duhet të ruhet larg dritës së diellit, sepse dielli i shkatërron grupet e flavonoideve, vitaminave dhe enzimave të tij.
2. Larg nxehtësisë, sepse ajo ia ul vlerat dhe vetitë kuruese dhe ushqyese polenit.
3. Poleni duhet të ruhet në vende të ftohta ose edhe i ngrirë, porn ë enë të vulosura mirë, sepse lagështira e prish atë dhe në të mund të formohen disa lloj insektesh.
4. Mund të ruhet edhe i përzierë me mjalt.
Ç’është dylli i bletës?
Dylli i bletës është një lëndë me ngjyrë të verdhë dhe aromë të këndshme, të cilën e prodhojnë bletët punëtore nga gjëndrat e dyllit që gjenden në pjesën e poshtme të barkut të tyre dhe që e përdorin për ndërtimin e hojeve.
Përbërësit e dyllit të bletës:
Përzierje esterash, ceroline, hidrokarbonatesh dhe ngjyrash. Përmban gjithashtu rreth 5% polen dhe propolis, si dhe lëndë aromatike të cilat i japin dyllit ngjyrën e veçantë dhe aromën e këndshme.
Këshilla që duhen pasur parasysh para përdorimit të dyllit të bletës:
Dylli i bletës përmban një sasi propolis dhe poleni, prandaj ata njerëz që kanë alergji nga këto lëndë duhet të mos e përdorin atë në sasi që i dëmton.
Ruajtja dhe rezervimi:
Dylli i bletës ruhet në temperaturën e dhomës dhe larg dritës.